Konferenca Vjetore

Distriktet e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë mbajtën në fund të muajit mars Konferencën Provizore Vjetore të 90-të në Pogradec.

Distrikti i Shqipërisë

Konferenca Vjetore në KBM është një nga organizimet më të rëndësishme administrative të kishës sonë. Eventi mbahet një herë në vit dhe ajo përfshin peshkopin, pastorët, personat laikë të kishave të ndryshme lokale të tre distrikteve.

Konferenca Vjetore u udhëhoq për të dytin vit radhazi nga peshkopi i Evropës Qendrore Jugore të KBM-së, Stefan Zürcher, i asistuar nga superintendenti i Distriktit të Shqipërisë, Wilfried Nausner. 

Superintendenti Wilfried Nausner

Krahas miqësive të shumta që Distrikti ynë ka me dy distriktet e tjera respektive, duam të theksojmë që kjo Konferencë nuk kishte qetësinë që ne prisnim.

Arsyeja për këtë ishin ndryshimet Kushtetuese të bëra në Konferencën e Përgjithshme në vitin 2024, e cila ka të bëjë me implementimin e rajonalizimit, duke hequr vendimmarrjen si një Konferencë e Përgjithshme, duke i lënë liri Konferencave Vjetore dhe Qendrore. 

Për arsye subjektive, shumica e vëllezërve dhe motrave nga Maqedonia e Veriut dhe Serbisë votuan kundër ndryshimeve kushtetuese, ndërsa Distrikti shqiptar votoi unanimisht pro tyre, pasi ne mendojmë se ato nuk na ndikojnë në mbarëvajtjen e kishës sonë, madje na jep pavarësinë të vendosim vetë për Disiplinën e Kishës dhe çështjet etike në harmoni me Kushtetutën e Shqipërisë. 

Distrikti shqiptar ishte i mirëinformuar në lidhje me ndryshimet kushtetuese, pasi patëm mundësi të kishim një prezantim nga superintendenti Wilfried Nausner gjatë Konferencës së Distriktit në 1 Mars 2025.

Jemi të keqardhur që në rangun e Konferencës Vjetore, tre distriktet votuan kundër edhe pse Shqipëria dhe një pakicë nga dy distriktet e tjera votuan pro ndryshimeve kushtetuese.

Në këtë Konferencë Vjetore kishte edhe delegatë miq nga Zvicra, motër Regula Stotz, nga Konferenca Vjetore e Gjermanisë Jugore, vëlla Mihal Hrcan, si edhe Eva dhe Thomas Schnidler nga Konferenca Vjetore e Austrisë. 

Pamje nga Konferenca

Krahas mendimeve që na ndajnë, harmonia dhe miqësia që kalojmë me vëllezërit dhe motrat nga Maqedonia dhe Serbia na lidhin së tepërmi. 

Miqësitë janë arma më e fortë e Konferencës Vjetore me kultura sa të ngjashme dhe të ndryshme mes tre shteteve ballkanike. 

Gjuha vijon të mbetet problemi kryesor dhe kjo është arsye pse dy distriktet e tjera kanë një bashkëpunim më të thelluar me njëri-tjetrin. 

Patëm mundësinë që sipas direktivave të superintendentit Wilfried & Jean Nausner të kishim mundësinë për të adhuruar Perëndinë duke kënduar së bashku, me ç’rast grupi i adhurimit këndoi në shqip, serbisht dhe maqedonisht gjatë kohëve të mëngjesit, mbrëmjes si dhe shërbesës së të dielës. 

Të gjitha përkthimet dhe një pjesë e përgatitjeve u bë nga sekretari i Zyrës së Distriktit, Amadeo Çela.

Personi laik i Tiranës, Shyqo Muço (majtas), sekretari i KBM Shqipëri, Amadeo Çela (djathtas)

Ai u ndihmua nga superintendenti Wilfried Nausner dhe Jean Nausner, si dhe nga pastori i KBM, Tiranë dhe Durrës, Gjergj Lushka.

Pastori i KBM, Tiranë dhe Durrës, Gjergj Lushka

Falenderojmë Rixhena Rroshin për mbajtjen e procesverbalit të Konferencës, duke pasqyruar me përpikmëri gjithçka ndodhi gjatë eventit.

Po ashtu, Daniel Rroshin dhe Ergi Kllogjerin, të cilët u kujdesën për teknikën, pajisjet e përkthimit dhe veprimet e tjera logjistike.

Duam të falenderojmë pastorin e KBM Pogradec, Mustafa Isufi për mikëpritjen, gratë e kuzhinës Burbuqe Isufi dhe Nertila Baçi, si dhe gra të tjera vullnetare nga KBM Pogradec, të cilat na ndihmuan gjatë vakteve ushqimore dhe kohës së kafes gjatë pushimit.

Një falenderim të veçantë, e kemi për ish-pastorin e KBM Tiranë, Rigels Kasmollari, i cili me një besnikëri të pashoq erdhi për të na ndihmuar me përkthim gjatë të gjitha ditëve të konferencës.

Pastori lokal i KBM, Buzahishtë Alfros Hyko (majtas), Rigels Kasmollari (djathtas)

I jemi falenderues Perëndisë, që KBM në Shqipëri gëzon një pozicion të vlerësuar në rang të Kishës Metodiste Botërore!

Foto grupi e të treja distriteve, bashkë me miqtë dhe peshkopin Stefan