Konferenca Vjetore,  Seminare

Të shërbesh pa humbur veten: pastorët metodistë së bashku në Serbi
Si mund të vazhdojmë t’u shërbejmë të tjerëve me përkushtim, pa lënë pas dore jetën tonë shpirtërore? Kjo ishte një nga pyetjet kryesore që shoqëroi seminarin e pastorëve metodistë të zhvilluar në Kisaç, Serbi, nën drejtimin e peshkopit Stefan Zürcher.

Në këtë takim morën pjesë pastorë nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, duke vijuar një traditë që tashmë zhvillohet për të tretin vit radhazi. Seminari organizohet rreth gjashtë muaj pas Konferencës Vjetore, duke krijuar një mundësi të rëndësishme për formim, reflektim dhe forcim të marrëdhënieve mes pastorëve të tri vendeve.

Programi përfshiu kohë përkushtimi shpirtëror, mesazhe biblike dhe bashkëndarje përvojash të udhëhequra nga vëllezërit dhe motrat tona nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Një kontribut veçanërisht i vlerësuar erdhi nga superintendenti Rareș nga Rumania, i ftuar si folës kryesor i seminarit. Ai trajtoi një temë sa të ndjeshme, aq edhe të rëndësishme për jetën pastorale: rrezikun e rraskapitjes shpirtërore gjatë shërbimit.

Në vend të një trajtimi thjesht teorik, ai ndau përvoja dhe dëshmi nga rrugëtimi i tij personal. Përmes tyre, pastorët u ftuan të reflektonin mbi sfidat e shërbesës, përgjegjësitë që mbartin dhe nevojën për t’u kujdesur edhe për jetën e tyre të brendshme.

Një tjetër pjesë e rëndësishme e seminarit ishte njohja nga afër me dy nisma diakonale të Kishës Metodiste në Serbi: kopshtin e fëmijëve Marta dhe Marija në Pivnice dhe kuzhinën sociale (Soup Kitchen) në Vrbas.

Këto vizita ofruan mundësinë për të parë se si shërbimi i kishës shtrihet përtej mureve të saj, duke iu përgjigjur nevojave konkrete të fëmijëve, familjeve dhe njerëzve në vështirësi. Puna e përkushtuar e atyre që drejtojnë dhe mbështesin këto projekte ishte një dëshmi domethënëse e dashurisë së krishterë në veprim.

Seminari ishte gjithashtu një mundësi për të thelluar miqësitë mes pastorëve të vendeve tona. Edhe pse dallimet gjuhësore e bëjnë ndonjëherë komunikimin më sfidues, marrëdhëniet mes kishave metodiste të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut vazhdojnë të forcohen.

Takime të tilla na kujtojnë se shërbesa pastorale nuk është një rrugëtim që duhet përshkuar vetëm. Mbështetja, lutja, shkëmbimi i përvojave dhe miqësia me njëri-tjetrin janë pjesë thelbësore e saj.

Kthehemi nga ky takim me mirënjohje për kohën e kaluar së bashku dhe me lutje të veçanta për projektet diakonale, drejtuesit dhe të gjitha bashkësitë metodiste në rajonin tonë.