Konferenca Vjetore

Konferenca Vjetore në Serbi, Maqedoni dhe Shqipëri për vitin 2026 u mbajt në Kisaç (Novi Sad) këtë vit në datat 16-19 Prill.

Shqipëria u përfaqësua nga 12 delegatë, të cilët kanë funksione të rëndësishme në pesë kishat tona metodiste në Shqipëri.

Delegatët e Distriktit shqiptar

Vend pritës këtë vit ishte Distrikti i Serbisë, nën përkujdesjen e Maria Virag, Dushan Tordaj dhe superintenentit Daniel Sjanta.

Tema për këtë vit ishte vargu i zgjedhur nga psalmi 121 “Unë i ngre sytë nga malet, nga do të më vijë ndihma, ndihma më vjen nga Zoti”.

Konferenca u drejtua nga peshkopi Stefan Zürcher, ndërsa sekretar i saj u zgjodh Vladimir Fazekash (pastor në kishën e Shidit, Serbi). 

Peshkopi Stefan Zürcher (djathtas), Vladimir Fazekash (majtas)

Konferenca u hap zyrtarisht të enjten e 16 prillit, ku të treja distrikteve iu la hapësirë për të kënduar në gjuhën respektive dhe u bë me dije programi i tre ditëve në vijim. 

Të premten filloi seanca e parë e Konferencës Vjetore, e cila u pasua nga një ekskursion në zonën turistike të Frushka Gorës. 

Foto grupi në Frushka Gora

Distrikti serb kishte organizuar një ditë në natyrë. Një kohë miqësie dhe mirënjohje me gjërat e bukura që Perëndia na ka falur. 

Dita e shtunë, gjithashtu pati takime në grupe për të rinjtë, gratë, projektet sociale (Diakonia) dhe vendet e shenjta të adhurimit. 

Pati propozime konkrete nga të gjitha grupet dhe prej tyre në nivel të konferencës vjetore u vendos që të mbahet një kamp rajonal në Maqedoni në vitin 2028, gratë hapën një grup në Whatsapp me përfaqësuese nga të treja shtetet dhe diakonia gjithashtu u zotua se do të organizohet një seminar i përbashkët. Pastori Christoph Klaiber ishte i ftuari i konferencës sonë nga Konferenca e Gjermanisë Jugore. Ai u zotua të gjejë persona të përshtatshëm për seminaret e përbashkëta të Diakonisë mes tre shteteve. 

Në darkën e të shtunës pati zhvillime tejet të rëndësishme. 

Nikola Jovanovski (Distrikti i Maqedonisë) u zgjodh nga konferenca si pastor laik në Prilep dhe mbikëqyrës i situatës së Kishës së Bashkuar Metodiste të Maqedonisë në Bitola.

Nikola Jovanovski (majtas), peshkopi Zurcher dhe superintendentët Dimov dhe Sjanta

Po ashtu u organizua një mbrëmje falenderimi me emocione dhe dhurata për çiftin Daniel Sjanta (superintendent i Serbisë) dhe bashkëshorten e tij Elena. 

Danial dhe Elena Sjanta (në të majtë)

Me një vendim personal ai vendosi që të mos jetë më superintendent i Distriktit të Serbisë, duke ia lënë këtë pozicion, të zgjedhurit Novica Brankov. 

Konferenca Vjetore e falenderoi me mirënjohje përkushtimin e tyre disavjeçar në lidershipin e Distriktit të Serbisë. Daniel Sjanta do të vazhdojë të jetë pastor në kishën e Padinës.

Me iniciativën personale të peshkopit Stefan Zürcher u organizua edhe një ceremoni falenderimi për çiftin Jean dhe Wilfried Nausner (Superintendent i Shqipërisë (të cilët janë në vitin e tyre të shërbimit në Shqipëri që prej 2008-s.) 

Jean dhe Wilfried Nausner (në të majtë)

Të tria disktriktet e çmuan shumë punën e tyre të palodhur për rindërtimin e kishës shqiptare dhe për ndërtimin e lidershipit të kishës në Shqipëri, e cila kulmon me zgjedhjen e një superintendenti shqiptar për herë të parë në historinë e KBM-së në vendin tonë, pastori Gjergj Lushka. 

Megjithatë Distrikti i Shqipërisë do të organizojë për ta një festë më familjare në nëntor të këtij viti, për të vlerësuar kontributin e tyre të madh në Shqipëri për gati 19 vite. 

Dita u përmbyll me një predikim nga pastori Christoph Klaiber (Pastor në Betzingen-Reutlingen, Gjermania Jugore).

Pastori Christoph Klaiber

Të Dielën gjatë shërbesës, peshkopi Zürcher bekoi superintendentët e rinj Gjergj Lushka (Shqipëri) dhe Novica Brankov (Serbi). Për të dy pati mesazhe tejet inkurajuese dhe lutje ndaj Perëndisë për detyrën e tyre tepër të rëndësishme, si dhe të bashkëshorteve të tyre. 

Gjergj Lushka (majtas), Novica Brankov (në mes) dhe peshkopi (djathtas)
Bekimi i superintendentëve të rinj

Distrikti i Shqipërisë mezi pret të punojë me superintendentin e ri serb, Novica Brankov. 

Konferenca Vjetore vijon të mbetet një institucion tepër i rëndësishëm për të tria distriktet me gjërat që na bashkojnë dhe me barrierat midis nesh, ku gjuha mban vendin e parë. 

I jemi falenderues Perëndisë, që jemi pjesë e kësaj konference prej 8 vitesh. Edhe pse më të rinj në këtë institucion, me ndihmën e Perëndisë jemi bërë një zë i fortë dhe pjesëmarrës aktivë në konferencën vjetore.

Distrikti shqiptar
Distrikti shqiptar
Pastori Florian Çela (djtathtas) duke predikuar

Falenderime Distriktit të Serbisë me në krye Maria Virag, Dushan Tordaj, Janko Bako dhe Daniel Sjanta për mikëpritjen vëllazërore që na rezervuan.

Paçim gjithmonë bekimet e Perëndisë! 

Foto grupi, të tria disktriket