Konferenca Vjetore Monospitovo 2024
Konferenca Vjetore e Kishës së Bashkuar Metodiste në Serbi, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri këtë vit u mbajt në Monospitovo të Maqedonisë së Veriut me temën “Shkoni dhe bëni dishepuj në të gjitha kombet.”
Ky event tejet i rëndësishëm për të tria distriktet tona ka në qendër të tij, bashkëpunimin e ndërsjelltë, shkëmbimin e eksperiencës, marrjen e vendimeve për vazhdimësinë e kishës në vitin e ardhshëm, por edhe në marrjen e vendimeve afatgjatë.
Konferenca Vjetore këtë vit u drejtua nga peshkopi Dr. Stefan Zürcher, e cila u kryesua për herë të parë prej tij, që kur mori detyrën vitin e shkuar.
Konferenca Vjetore arriti rezultate tepër të kënaqshme për Kishën tonë, pasi dy nga pastorët Florian Çela dhe Gjergj Lushka u miratuan për të qenë shërbyes me kohë të plotë dhe njëkohësisht për të qenë anëtarë të plotë në Konferencën Vjetore.
Krahas çështjeve të lidershipit të kishës, anëtarët e të tria shteteve patën mundësi (aq sa gjuha ua lejonte) që të shkëmbenin biseda me njëri-tjetrin dhe ndanin eksperiencat e tyre personale se si janë njohur me Zotin.
Kemi kënaqësinë të njoftojmë se Konferenca e ardhshme vjetore do të mbahet në Pogradec.