Aktivitete jashtë kishës

Pastorët e ordinuar të KBM, Mustafa Isufi, Florian Çela dhe Gjergj Lushka dhe superintendent Wilfried dhe Jean Nausner udhëtuan drejt Filipisë në 25 prill.
Me ta ishte edhe sekretari i zyrës së KBM dhe përkthyesi Amadeo Çela.
Një ditë më parë grupi nga Shqipëria qëndroi në Strumicë, atje ku u pritën nga Mitko dhe Martin Konev dhe Christina Cekov, që gjithashtu ishin pjesë e grupit të ekskursionit të Filipisë.
Grupi prej 9 personash pas një mëngjesi të mirë në qendrën Miss Stone Center në Strumicë, Maqedoni e Veriut nisi udhëtimin për në territorin grek.
Aventura filloi sapo grupi arriti në doganën greko-maqedonase të Doiranit/Dhoiranit.
Pala maqedonase kërkoi një kontroll të hollësishëm për faktin që me grupin kishte shtetas shqiptarë. Ishte një sjellje jo e hijshme e punonjësve të policisë kufitare, të cilët nuk e morën parasysh që mes nesh kishte 4 pastorë dhe punonjës kishash.

Dogana e Doiranit/Dhoiranit

Po ashtu pala greke i mbajti personat e grupit tonë për disa minuta, sepse i çudiste fakti i multietnicitetit, por më pas punonjësi doganor e vlerësoi që një pjesëtar i yni mundtte të fliste në gjuhën greke dhe gjithçka u sqarua.
Më pas udhëtimi rinisi për në destinacion.
Rrugës nuk u evidentua asnjë shqetësim. Pas pak vështirësive për të gjetur rrugën mbërritëm në sitin arkeologjik në Filipi

Siti arkelogjik i Filipisë

Pas një pushimi të shkurtër, grupi konsumoi sanduiçët e përgatitur me dashuri nga qendra Miss Stone.
Pasi paguan për biletat, nisi vizita e sitit arkeologjik.
Si fillim ata u ndalën te amfiteatri.

Grupi i ekskursionit të Filipisë

Më pas ata panë nga afër Bazilikën e Filipisë.

Sipas radhës së vizitës, siti të sugjeronte të vizitoje burgun e Apostull Palit, të paktën kështu siç pretendojnë grekët, pasi për të nuk ka fakte historike, shkencore dhe biblike.

Burgu ku pretendohet se u burgos Apostull Pali

Grupi kaloi nëpër një copë të Rrugës së lashtë Egnatia.

Rruga Egnatia (djathtas)

Më pas ata panë nga afër rrënojat e Forumit Romak të Filipisë.

Më pas ata shfrytëzuan rrugën e makinave për të shkuar deri në muezuen arkeologjik që ndodhej aty pranë në kodër.

Pas vizitës në muzeun arkeologjik, ata u drejtuan për vendin ku u pagëzua gruaja e parë, Lydia në Filipi.

Kisha e restauruar, ku pretendohet se është pagëzuar Lydia
Foto grupi nga kisha e Lidias në Filipi

Gjatë qëndrimit në Lydia, rastësia e bukur e deshi që në lumin aty pranë, një grup katolik nga Polonia të mbante një meshë, të cilën grupi e jonë e ndoqi shkurtimisht me kureshtje e dashamirësi.

Grupi polak

Kështu vizitës në Filipi i erdhi fundi, por jo të gjithë ekskursionit. Grupi ynë do të udhëtonte për në qytetin e bukur të Kavalës, që dikur ka mbajtur emrin Neapolis, periudhë në të cilën Pali zbarkoi në këto troje në vitet 49/50 pas Krishtit, vend në të cilin gjeti edhe kishën e parë në Evropë.

Kavala

Pas mbërritjes në Kavala/Neapolis dhe sistemimit në hotel, grupi ynë shëtiti pranë bregdetit të Kavalës, pamja ishte fantastike.

Grupi ynë shijoi një kafe pranë bregdetit dhe më pas konsumuan një suvlaki/gjiro, ushqimi tradicional grek.
Pamja ishte fantastike edhe nga hoteli.

Të nesërmen e së shtunës, 26 prill, pas konsumimit të mëngjesit, më të guximshmit u ngjitën në kalanë e qyetit.

Pamje e qytetit të Kavalës nga Kalaja e qyetit
Kalaja, nga qyteti

Ekskursionit i erdhi fundi dhe dy grupet udhëtuan bashkë deri në afërsi të Selanikut, më pas vëllezërit dhe motra nga Maqedonia udhëtuan drejt Strumicës, ndërsa grupi shqiptar drejt Kapshticës.
Falenderimet për këtë udhëtim fantastik i takojnë Perëndisë sonë të gjallë, që punoi përmes Christina Cekov, e cila ishte udhërrëfyesja e këtij ekskursioni dhe donatorëve të kishës sonë.