
Zhvilluam Konferencën e Distriktit dhe Konferencat Lokale
Delegatët e pesë kishave të Bashkuara Metodiste të Shqipërisë morën pjesë në Konferencën e Distriktit, e cila u mbajt në Tiranë.
Ajo i paraprin Konferencës Vjetore që Shqipëria e zhvillon me Maqedoninë dhe Serbinë dhe bëhet pas Konferencave Lokale.
Konferenca e Distriktit edhe këtë vit u udhëhoq nga Superintendenti Wilfried Nausner me asistencën e përkthyesit Amadeo Çela.
Konferenca e Distriktit ka për qëllim trajtimin e çështjes shpirtërore, administrative dhe misionare të pesë kishave tona Lokale. Ato frymëzojnë unitetin dhe bashkëpunimin brenda Kishës sonë, njëkohësisht edhe përpiqet të adresojë nevojat e besimtarëve.
Të gjithë anëtarët e Konferencës së Distriktit paraqitën raportet e punës 1-vjeçare të bërë prej tyre, e cila është një mundësi e mirë për të nxjerrë konkluzione, arritje dhe qëllime për të ardhmen. Zakonisht ka diskutime mbi çështje të caktuara që bëhen për nder të përmirësimit të punës në vitin e ardhshëm.
Konferenca jonë e Distriktit përbëhet nga Superintendent Wilfried dhe Jean Nausner, pastorët e shuguruar Gjergj Lushka, Florian Çela dhe Mustafa Isufi, predikuesit laikë Përparim Kasmollari dhe Alfros Hyko, personat laikë Donika Çela, Shyqo Muço dhe Rixhena Rroshi, bashkëpunëtore Burbuqe Isufi dhe sekretari i zyrës së Distriktit Amadeo Çela.
Personat laikë u rizgjodhën unanimisht nga Konferencat Lokale.
Këta delegatë në varësi të pozicioneve dhe detyrave që kanë në kishë janë përfaqësuesit e Distriktit shqiptar në Konferencën Vjetore mes Serbisë, Maqedonisë dhe vendit tonë.
Konferenca Vjetore e këtij viti do të mbahet në Pogradec në 27-30 Mars.
Ajo do të udhëhiqet nga Peshkopi Stefan Zürcher dhe pjesëmarrës krahas dy distrikteve, atij serb dhe maqedonas do të jenë edhe të ftuar të tjerë.
Një zhvillim i rëndësishëm ishte gjithashtu njoftimi se pastori Gjergj Lushka do të jetë superintendenti i ri, pasi Jean dhe Wilfried Nausner të jenë zyrtarisht në pension vitin e ardhshëm. Peshkopi Stefan Zürcher nisi një letër zyrtare përmes të cilës shpallte qëllimet e tij në lidhje me të ardhmen e Kishës së Bashkuar Metodiste në Shqipëri pas largimit të çiftit Nausner. Pastori Gjergj Lushka pritet të emërohet zyrtarisht superintendent i kishës sonë në Konferencën e ardhshme vjetore, e cila pritet të mbahet në Serbi në vitin 2026.
Gjatë Konferencës Vjetore, bëhen raporte të aktiviteteve të kishave, shpalljen e misioneve të reja dhe rishikimin e mbështetjes financiare dhe shpirtërore për besimtarët. Ajo është gjithashtu një mundësi për të trajnuar dhe edukuar pastorët dhe liderët në lidhje me ndryshimet që ndodhin brenda Kishës Metodiste dhe me çështje të tjera që prekin jetën shpirtërore dhe administrative të besimtarëve.
I jemi falenderues Zotit, që një vend i vogël si Shqipëria ka shansin të marrë pjesë në një Konferencë Vjetore.