Udhëtimi i grave në Filipi
Pas vizitës së suksesshme të pastorëve të Kishave të Bashkuara Metodiste të Shqipërisë, këtë herë ishte radha e grave.
Gratë e 3 distrikteve të Konferencës Vjetore të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Serbisë udhëtuan në fund të majit për në vendbanimin e vjetër të Filipisë për të parë nga afër vendet e hershme ku apotulli Pal erdhi për herë të parë në Evropën Jugore.
Dona Çela, Buqe Isufi (gratë e pastorëve Florian Çela dhe Mustafa Isufi) dhe Jean Nausner (një nga dy drejtuesit e KBM Shqipëri dhe njëherazi bashkëshorte e superintendentit Wilfried Nausner) ishin përfaqësueset e Shqipërisë për në Filipi.
Me to gjithashtu ishte edhe Rixhena Rroshi si përkthyese.
Gratë u nisën në 21 maj drejt Strumicës, aty u pritën nga përkujdesësit e qendrës Miss Stone, Mitko dhe Martin Konev si edhe Christina Cekov, e cila ishte edhe udhëheqësja e aktivitetit.
Të nesërmen e 22 majit, 4 gratë nga Shqipëria, 5 nga Serbia dhe 19 nga Maqedonia u nisën drejt territorit grek.
Ato vizituan fillimisht sitin arkeologjik të Filipisë. Sipas grave, impresioni ishte tepër i kënaqshëm.
Dona Çela shkroi se: “Qyteti antik i Filipisë më solli një imazh të plotë të asaj që përshkruhet në Veprat e Apostujve 16, kohë kur Pali shkeli në këto troje.”
Ndërsa Buqe Isufi u ndje me fat që mundi të ishte në këtë qytet antik pas 2 mijëvjeçarësh: Ne mundëm të preknim nga afër këtë event, që kemi lexuar në bibël pas 2000 vjetësh.
Gratë shkuan gjithashtu edhe në vendbanimin e Lydias, të cilën gratë e Shqipërisë e përshkruan si një burim të vërtetë frymëzimi për të rikonsideruar besimin e brendshëm.
Mund të vërejmë nga fotot që atmosfera ishte tepër miqësore edhe pse gjuha krijon barriera.
Pas vizitës në Lidia, gratë udhëtuan për në Neapolis, qytetin antik që Pali e shkeli 2000 vjet më parë, që sot mban emrin Kavala.
Edhe atje ato patën kohë për të shijuar një sufllaqe tradicionale greke, për të shëtitur në bregdetin e mrekullueshëm të këtij qyteti dhe madje edhe për të bërë shoping shkurtimisht.
Kthimi i tyre ishte i qetë, ato qëndruan edhe një natë në Strumicë për t’u nisur të nesërmen për në Shqipëri.
Ky event ishte një nga miratimet e frytshme të Konferencës Vjetore të mbajtur në Monospitovo (Maqedonia) 4-7 prill 2024.
I jemi falenderues Perëndisë që përmes donatorëve të këtij udhëtimi Frauen NetzWerk Schweiz mundësoi këtë aktivitet tepër të rëndësishëm për vazhdimësinë e Punës së Grave në Shqipëri.
Falenderime edhe për udhëheqësen e këtij aktiviteti, Motër Christina Cekov, e cila me korrektësinë dhe përkushtimin e saj bëri të mundur realizimin me sukses të këtij aktiviteti.
Falenderime edhe për udhëheqësit e kishës sonë Superintendent Wilfried & Jean Nausner, pa respektin që ata gëzojnë nga shumë organizata, aktivitetet tona nuk do të mund të realizoheshin.