Uncategorized

18 anëtarë të kishave të Bashkuara Metodiste zhvilluan në datat 23-25 gusht, kampin malor.

Ideja origjinale e këtij aktiviteti ka qenë për të rinjtë, duke qenë se mund ta përballojnë më lehtësisht fjetjen në çadër dhe gjithashtu edhe ngjitjen opsionale në mal, por prej vitesh pjesë e tij janë mosha të ndryshme.

Sigurisht që pjesa dërrmuese edhe këtë vit përbëhej nga të rinjtë.

Pasditen e së premtes ata mbërritën në Fushë Studen, një zonë malore në afërsi të qytetit të Librazhdit, pjesë përbërëse e Parkut Kombëtar të Shebenikut.

Fryma në grup ishte tepër impresionuese dhe menjëherë filloi puna për ngritjen e çadrave të kampingut, fryrjes së dyshekëve dhe mbledhjes së druve për zjarr.

Merita të veçanta për organizimin e punës patën Nderim Rroshi, pastori Gjergj Lushka, predikuesi laik i Durrësit Besi Elezi me ndihmën e personave të tjerë.

Pas ngritjes së çadrave dhe ndezjes së çadrave, nisi puna për gatimin e darkës nga gratë dhe vajzat e kishave tona.

Pas konsumimit të darkës, pastori i KBM Tiranë & Durrës ndau një devocion të shkurtër të zgjedhur nga Isaia që kishte të bënte me bërjen e dishepujve të rinj.

Pati adhurim me këngë, me lutje dhe psalme gjithashtu.

Më pas kohë iu la argëtimit, bisedave të ngrohta, barcaletave dhe harmonisë në grup.

Më të rinjtë qëndruan deri vonë, duke u kujdesur për zjarrin dhe duke bërë biseda të mëtejshme.

Të shtunën, pas konsumimit të mëngjesit, pati një kohë devocioni dhe adhurimi.

Ashtu si çdo vit, pjesa më e madhe e grupit organizon një ngjitje në mal.

Kështu ndodhi edhe këtë vit, pjesa tjetër qëndroi në kamp për të përgatitur drekën, që si çdo vit është mish i pjekur në hell ose në saç.

Grupi i hiking u përball me disa peripeci për shkak të terrenit të vështirë, por më kurajozët arritën që të shkonin në majë.

Personat që qëndruan në kamp, siguruan drutë dhe ushqimin.

Në darkë pati sërish kohë adhurimi me këngë, psalme e lutje, si edhe mesazh nga pastori Gjergj Lushka në lidhje me temën paraprirëse.

Kohë iu la atmosferës së ngrohtë, bisedave, barcaletave, madje edhe gjumit pranë zjarrit për shkak të lodhjes nga ana e tyre që ishin ngjitur në mal.

Kampi Malor është bërë një nga aktivitetet më të pëlqyera për të rinjtë dhe jo vetëm.

Është në fakt, lidhja që njeriu ka me natyrën, shkëputja nga jeta e vrullshme e qendrave urbane dhe kontakti më të drejtpërdrejtë me Perëndinë.

Është atmosfera e të punuarit në grup, e të qenit vullnetar, e argëtimit dhe risjellja në mendje e fshatit.

Falenderimet i takojnë Perëndisë At për mundësitë që na krijon përmes njerëzve që Ai ka zgjedhur për të na ndihmuar.

Përmes donatorëve dhe drejtuesve të kishës sonë superintendent Wilfried dhe Jean Nasuner.

Kisha jonë gjithashtu është tepër mirënjohëse ndaj banorëve të urtë e bujarë të fshatit të Fushë Studenit, pa ndihmën e të cilëve, ky kamp nuk do ishte aq i arrirë.

Duhet t’ju kujtojmë, se të rinjtë mezi e presin kampin e ardhshëm malor.