Kampi Familjar Spille 2024
Kisha e Bashkuar Metodiste e Shqipërisë organizoi kampin familjar të katërmbëdhjetë dhe të dhjetin në plazhin e Spillesë.
Kampi, këtë vit, nisi në 5 korrik (E Premte).
Rreth 70 persona nga të pesta Kishat Metodiste të Shqipërisë u bënë pjesë e kampit të këtij viti, i cili në thelb të tij ka seminaret, diskutimet në grup, trajnimin e liderëve të rinj, por edhe argëtimin, përmes kohës në plazh që të mundëson bregdeti i Spillesë.
Këtë vit, kryetema e aktivitetit ishte Frytet e Frymës sipas Galatasve (5:22-23).
Të shtunën, që ishte dhe dita zyrtare e nisjes së kampit, pastori i KBM Pogradec, Mustafa Isufi foli rreth nëntemës së parë, të Frutave të Frymës, për dashurinë.
Ai kishte organizuar edhe disa pyetje dhe iu la anëtarëve kohë për të diskutuar në grupe.
Ndarja në grupe është një kohë tepër e rëndësishme, ku besimtarët rrahin mendimet e tyre dhe ndonjëherë debatet janë tepër të frytshme edhe pse kanë persona që mendojnë ndryshe.
Më pas grupet respektive, përzgjedhin një përfaqësues për të prezantuar rreth mendimeve të diskutuara, përpara grupeve të tjera.
Kjo ka qenë një strategji e drejtuesve të kishës sonë, superintendent Wilfried dhe Jean Nausner për të nxitur sa më shumë persona që të çlirohen nga emocionet dhe të inkurajojnë të rinjtë për të folur në publik, në mënyrë që të zhvillojnë aftësitë e tyre për të ndërmarrë hapa të tjera lidershipi në shërbimin ndaj kishës.
Temat e drejtuara nga pastorët shoqëroheshin me këngë adhurimi.
Gjatë diskutimit të temave, fëmijët do të shkonin për të kaluar kohë me njëri-tjetrin dhe duke bërë vizatime dhe craft në lidhje me temat e trajtuara nga pastorët.
Dita e cila, kishte nisur me lutjen e mëngjesit dhe me temën e dashurisë do të pasohej nga koha në plazh.
Të gjithë anëtarët e kampit, kanë mënyrat e tyre autentike për të kaluar një kohë të bukur në plazh.
Disa janë të apasionuar pas notit/zhytjes, të tjerë pas lojërave me letra, domino, shah, volejboll etj.
Darka mbyllej me këngë adhurimi dhe aktivitete të ndryshme.
Të dielën, shërbesa u drejtua nga pastorët, ndërsa predikimi u bë nga superintenti i kishës sonë, Wilfried Nausner dhe u përkthye nga sekretari i tij, Amadeo Çela.
Shërbesa u përmbyll me një foto familjare, e cila është traditë e të gjitha kampeve, qysh nga fillimi i tij.
Dita vijoi në plazh dhe në darkë nuk pati program.
Të hënën, dita nisi sipas programit me përkushtimin e mëngjesit, me lutje, lexim psalmi, këngë adhurimi.
Nëntema e dytë, u drejtua nga pastori i KBM Elbasan, Florian Çela.
Ai foli për paqen dhe për këtë i ndau anëtarët e bashkësisë në pesë grupe me qëllim diskutimi.
Metodologjia ishte e njëtjë, 5 përfaqësues të pesë grupeve dolën përpara të tjerëve për të prezantuar diskutimet në grup.
Ndërkohë fëmijët zbaviteshin dhe pikturonin pankarta në lidhje me temën e ditës.
Dita vijoi në plazh dhe argëtimi ishte i pranishëm, që nga fëmijët deri te moshat e treta.
Të gjitha vaktet e ushqimit, konsumoheshin në restorantin e Hotelit Mema.
Programi i darkës u zhvillua me këngë adhurimi dhe zbavitje.
Duhet të kujtojmë, që gratë e KBM Elbasan dhe jo vetëm mbrëmjeve e kalonin duke kërcyer valle popullore, duke praktikuar traditën tonë të mrekullueshme të muzikës popullore, por edhe forcimit të marrëdhënieve mes tyre.
Ditën e Martë, pastori i KBM Tiranë dhe Durrës, Gjergj Lushka foli për nëntemën e fundit të Frutave të Frymës, vetkontrolli.
Edhe pas predikimit të shkurtër për këtë frut të Frymës, grupet u ndanë për të diskutuar dhe mendojmë se Kampi ia arriti qëllimit të tij, për t’i inkurajuar besimtarët e kishave tona, që t’i mbajnë në zemër dhe mëndje këto fruta dhe të përpiqen që t’i ushqejnë ato siç ujisim bimët.
Në fund, pati prezantime të punës në grup.
Fëmijët gjatë këtyre momenteve ishin duke përgatitur lojëra dhe vizatime, të cilat ua tregonin të gjithë bashkësisë në fund.
Gjatë kohës së përkushtimit, përgjegjësi të veçanta mori edhe predikuesi laik, i cili shërben si pastor lokal në KBM Buzahishtë, Alfros Hyko.
Më pas kishte kohë për plazh dhe në mbrëmje, siç është bërë tashmë traditë të gjithë anëtarët zbaviten duke parë fotot më pikante të kampit, ku ndër to nuk mungojnë edhe fotot humoristike, të cilat u përgatitën nga Amadeo Çela.
Të nesërmen, e cila ishte edhe dita e fundit, dita nisi me kohë përkushtimi në mëngjes dhe më pas ishte kohë e lirë për plazh.
Kampet familiare kanë treguar, se rrisin miqësitë e krishtera disa herë më shumë se sa koha e zakonshme nëpër takimet e vitit.
I jemi falenderues Perëndisë, që na ka bekuar me dy drejtues vizionarë si superintendenti Wilfried Nausner dhe bashkëshortja e tij Jean Nausner, të cilët idejuan kampet familjare me qëllim seminari, trajnimi të të rinjve për t’u bërë liderë, forcimit të bashkësisë dhe argëtimit.
Falenderime të mëdha për donatorët tanë që mbuluan kostot e konsiderueshme të këtij aktiviteti, që përbën edhe eventin më të madh të kishës sonë.
Falenderojmë pastorët e kishave Metodiste të Shqipërisë për përkushtimin e tyre, si dhe gjithsecilit që mori përgjegjësi për kohën e adhurimit dhe punës me fëmijët.
Këtë vit, si rrallë herë nuk pati asnjë ankesë apo sugjerim për kampin dhe të gjithë ishin mëse falenderues për personat që e mundësuan këtë aktivitet të rëndësishëm për metoditstët.