Miqësi përtej kufijve: Kisha e Bashkuar Metodiste në Shqipëri forcon lidhjet me komunitetin ndërkombëtar metodist
Muajt shtator dhe tetor sollën një sërë vizitash të veçanta ndërkombëtare për Kishën e Bashkuar Metodiste në Shqipëri, duke krijuar mundësi të reja bashkëpunimi dhe duke forcuar miqësitë me motrat dhe vëllezërit tanë metodistë nga vende të ndryshme të Evropës.
Kisha e Bashkuar Metodiste në Shqipëri i vlerëson jashtëzakonisht shumë marrëdhëniet me komunitetin ndërkombëtar metodist. Këto lidhje na kujtojnë vazhdimisht se, edhe pse jemi një kishë e vogël që rritet, mëson dhe zhvillohet dita-ditës, jemi pjesë e një familjeje të madhe globale, të bashkuar në besim, dashuri dhe shërbim ndaj Perëndisë.
Gjatë muajve shtator dhe tetor patëm kënaqësinë të mirëprisnim disa përfaqësues dhe grupe nga kishat metodiste evropiane. Disa prej këtyre vizitave kishin për qëllim eksplorimin e mundësive për partneritete të reja, ndërsa të tjerat ishin vizita miqësore, që dëshmuan edhe një herë lidhjet e forta që na bashkojnë.
Vizita e Presidentit të Kishave Metodiste në Itali, Luca Anziani
Në datat 13–17 shtator, patëm nderin të mirëprisnim në Shqipëri Presidentin e Kishave Metodiste në Itali, Luca Anziani.
Vizita e tij kishte për qëllim njohjen më nga afër me punën dhe shërbesën e Kishës së Bashkuar Metodiste në Shqipëri, si dhe shqyrtimin e mundësive për krijimin e një partneriteti dhe bashkëpunimi konkret ndërmjet kishave metodiste të dy vendeve.

Gjatë qëndrimit të tij, Presidenti Anziani pati mundësinë të takohej me pastorët, drejtuesit e Kishës dhe punonjësit e projektit “Ndërhyrja e Hershme” në Tiranë. Përmes këtyre takimeve, ai u njoh me aktivitetet, sfidat, arritjet dhe vizionin e Kishës sonë për të ardhmen.
Po ashtu bashkësitë e kishave në Tiranë dhe Durrës patën mundësinë të dëgjonin një predikim nga presidenti Anziani, ndërsa vizitoi të dyja kishat të dielën e 13 Shtatorit.

Jemi veçanërisht mirënjohës për këtë hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një miqësie të re ndërmjet dy kishave dhe dy vendeve mike. Besojmë se, me ndihmën dhe udhëheqjen e Perëndisë, këto marrëdhënie do të vazhdojnë të zhvillohen dhe të japin fryte në të ardhmen.
Vizita e David Nesbitt nga Kisha Metodiste në Irlandë
Një tjetër vizitë e rëndësishme ishte ajo e David Nesbitt, përfaqësues i Kishës Metodiste në Irlandë, i cili erdhi në Shqipëri për t’u njohur me shërbesën tonë dhe për të shqyrtuar mundësitë e krijimit të një partneriteti ndërmjet dy kishave.
Gjatë vizitës, ai pati mundësinë të njihte nga afër tri prej bashkësive tona lokale, të takonte anëtarët e tyre dhe të përjetonte frymën e mikpritjes dhe të bashkësisë që karakterizon Kishën tonë.

Një nga përshtypjet më të bukura që ai ndau me ne ishte harmonia dhe fryma e bashkimit që kishte vërejtur në komunitetet tona, të cilën e përshkroi si diçka të rrallë dhe veçanërisht të çmuar.
Fjalë të tilla na inkurajojnë të vazhdojmë të ndërtojmë komunitete ku dashuria, respekti dhe kujdesi për njëri-tjetrin janë në qendër të jetës së Kishës.

Miq nga Zvicra dhe Connexio hope & develop në KBM Tiranë
Në fund të muajit shtator, patëm kënaqësinë të mirëprisnim në shërbesën e së dielës në KBM Tiranë një grup të madh vizitorësh nga Zvicra.

Grupi përbëhej nga metodistë dhe të krishterë të tjerë, mes të cilëve punonjës dhe ish-punonjës të organizatës Connexio hope & develop, një prej partnerëve të rëndësishëm ndërkombëtarë të Kishës sonë.


Edhe pse vizita e tyre në Shqipëri kishte karakter turistik dhe jo zyrtar, ata zgjodhën ta kalonin të dielën së bashku me miqtë e tyre shqiptarë, duke marrë pjesë në shërbesën e adhurimit në Tiranë.



Për ne, ky ishte një gjest i bukur miqësie dhe afërsie, që dëshmon se marrëdhëniet tona shkojnë përtej bashkëpunimit institucional dhe mbështeten mbi lidhje të sinqerta njerëzore e shpirtërore.
Jemi shumë mirënjohës për kohën e kaluar së bashku dhe për miqësinë e vazhdueshme që na bashkon.

Një tjetër grup zviceran ndan kohë me të rinjtë tanë
Gjatë muajit tetor, Kisha jonë mirëpriti edhe një grup tjetër vizitorësh nga pjesa frëngjishtfolëse e Zvicrës.
Edhe kjo vizitë kishte kryesisht karakter turistik, por miqtë tanë gjetën kohën për të qenë pranë komunitetit metodist shqiptar, veçanërisht të rinjve të Kishës sonë.
Ata morën pjesë në takimin e të rinjve në KBM Tiranë, ku patën mundësinë të ndanin përvoja, të njiheshin më mirë me njëri-tjetrin dhe të përjetonin së bashku një kohë të bukur bashkësie.

Gjithashtu, ata vizituan qytetin e Durrësit, duke pasur mundësinë të njihnin më shumë nga Shqipëria dhe mikpritja e saj.
Takime të tilla janë veçanërisht të vlefshme për të rinjtë tanë, pasi u krijojnë mundësi të ndërtojnë miqësi ndërkombëtare, të shkëmbejnë përvoja dhe të kuptojnë më mirë se besimi i krishterë na bashkon