Vizita nga jashtë vendit

Patëm nderin e madh të kishim në mesin tonë sekretarin e Peshkopit Stefan, Urs Schweizer (Shvajcer).

Ai vizitoi të gjitha kishat tona, duke shpenzuar kohë me anëtarët e secilës kishë.

Vizita e tij është e para pas më shumë se 18 vitesh, me një Tiranë tjetër dhe me një Shqipëri sa të ndryshme, sa edhe të ngjashme me herën e fundit.

Ursi u kujdes të takohej edhe me punonjëset e Projektit “Ndërhyrja e Hershme” në Tiranë, të cilat i shpjeguan situatën reale të punës së tyre, me sfidat, por edhe me kënaqësinë që kanë duke kryer këtë punë.

Ai mori pjesë në dy studime bible në Tiranë dhe Durrës nga të cilat mbeti i mahnitur mbi harmoninë që njerëzit transmetonin, që sipas tij kjo ndonjëherë mungon në disa vende të Perëndimit.

Në Elbasan, sekretari predikoi të dielën për bashkësinë atje, me të cilët pati edhe disa biseda personale pas shërbesës.

Një kohë tepër të këndshme ai pati mundësinë të ketë edhe pas shërbesës në Pogradec, ku u takua me të gjithë bashkësinë, e cila qëndroi për ta takuar dhe për të folur me të.

Turi i tij i vizitës u përmbyll në Buzahishtë, në kishën e re në malet e Mokrës.

Ai u takua me të gjithë përfituesit e projektit të patates të cilët ishin tepër entuziastë mbi prodhimet e ardhshme dhe njëkohësisht falenderues kundrejt Kishës së Bashkuar Metodiste dhe donatorëve të saj.

Nga Zvicra Ursi shkroi rreth vizitës në Shqipëri se : Një rritje inkurajuese shihet edhe në zhvillimin e Kishës së Bashkuar Metodiste në Shqipëri. Njerëz të të gjitha moshave po rriten në besim, po angazhohen në forma të ndryshme, po marrin përgjegjësi, po tregojnë një bujari prekëse dhe po kërkojnë mënyra për të dhënë një kontribut domethënës në shoqëri. Kushdo që dëshiron të vizitojë dhe të kuptojë njerëzit mikpritës dhe zemërgjerë të Shqipërisë, ka nevojë mbi të gjitha për një gjë: kohë.”

Jemi tepër të nderuar rreth kësaj vizitë të shumëpritur nga ana jonë si Distrikt i Shqipërisë dhe gjithnjë falenderues për punën e palodhur të Urs Schweizer, i cili tashmë është një mik i ngushtë i metodistëve shqiptarëve.