Gjergj dhe Marinela japin premtimin martesor
Një event i jashtëzakonshëm ndodhi të shtunën e 29 qershorit në ambientet e Kishës së Bashkuar Metodiste Pogradec.
Pastori i KBM Tiranë dhe KBM Durrës, Gjergj Lushka dhe partnerja e tij, Marinela Dragoji lidhën një besëlidhje martesore në kishën e Pogradecit në praninë e Perëndisë At dhe qindra të pranishmëve, pjesëtarë të Kishës Metodiste dhe të afërm të çiftit bashkëshortor.
Jemi të kënaqur që ata lidhën dashurinë e tyre disavjeçare e cila nisi në Shtëpinë e Perëndisë shumë kohë më përpara.
Ceremonia martesore nisi rreth orës 16:00 në KBM Pogradec.
Të gjithë përjetuan emocione të forta përmes adhurimit me këngë dhe predikimit nga superintendenti Wilfried Nausner.
Ata i thanë PO njëri-tjetrit dhe u zotuan se do të qëndrojnë me njëri-tjetrin, pavarësisht se çfarë do të sjellë e ardhmja.
Pyetjet e premtimit u drejtuan nga superintendenti Wilfried Nausner dhe pastori i KBM Pogradec, Mustafa Isufi.
Marinela dhe Gjergj premtuan se do ta duan njëri-tjetrin deri në perëndim të jetës së tyre.
Emocionet e forta që të gjithë përjetuan nga kjo ceremoni do të vazhdonin edhe gjatë dasmës më tradicionale në mjediset e një restoranti tepër miqësor në afërsi të Liqenit të Ohrit.
Të ftuarit kaluan një kohë tepër të këndshme në prani të çiftit të sapomartuar dhe në prani të njëri-tjetrit.
Gërshetimi i të afërmve të çiftit me anëtarët e kishave metodiste të Shqipërisë ishte mahnitës.
Atmosfera ishte sa tradicionale, aq edhe e Perëndishme.
Kisha e Bashkuar Metodiste e Shqipërisë i uron trashëgime dhe shumë bekime në familjen e tyre të re!