Dita e të rinjve

Per vitin e dytë radhazi të rinjtë e pesë kishave të bashkuara metodiste të Shqipërisë festuan Ditën e të Rinjve në Pogradec. 

Të rinjtë në Kishën e Pogradecit

Afro 40 të rinj patën mundësinë të kalonin një kohë të bekuar me njëri-tjetrin.

Të shtunën e 18 majit, të rinjtë u mblodhën në kishën metodiste të Pogradecit e cila mundëson logjistikë për aktivitete të këtij lloji.

Dita nisi me adhurim me këngë ndaj Perëndisë dhe u ndoq nga një shërbesë dhe predikim e përgatitur nga pastori i Tiranës dhe Durrësit, Gjergj Lushka.

Teksti i përzgjedhur për predikim ishte nga 1 e Timoteut 4:12-17, një tekst që flet posaçërisht për të rinjtë dhe i frymëzon ata që të ndërmarrin përgjegjësi pavarësisht gjykimeve që mund të vijnë nga më të rriturit për shkak të moshës.

Pas temës të rinjtë u ndanë nëpër grupe duke diskutuar rreth dy pyetjeve të parapërgatitura që pyesnin për pikat e dobëta si të rinj dhe përmirësimin e tyre me anë të besimit, si edhe përdorimi i dhuratave që Perëndia na ka dhënë në kishë.

Përshtypja që morëm ishte shumë pozitive, ata kishin ndryshuar shumë nga një vit më parë.

Pas ndarjes në grupe, të rinjtë morën pjesë në lojërat indoor dhe outdoor. 

Ata po ashtu konsumuan drekën së bashku, e cila u përgatit me përkujdesje nga gratë e kishës së Pogradecit. 

Shumë prej tyre u angazhuan vullnetarisht për të shërbyer. 

Dita do të përmbyllej me energji të harxhuara maksimalisht.

Kisha e Buzahishtës i shpalli sfidë asaj të Tiranës me një lojë futbolli. 

7 të rinj nga Buzahishta luajtën kundër 7 të rinjve nga Tirana në një fushë private futbolli.

Loja ishte tepër e fortë, por ekipi i Tiranës ishte më i organizuar, megjithëse sakrifica dhe pasioni nga ana e Buzahishtës ishte prezent gjatë 60 minutave lojë.

Në fund fitoi ekipi i Tiranës, por jemi të bindur se Buzahishta është një ekip mjaft sfidues dhe nuk mund të parashikojmë dot se kush do të fitojë herës tjetër.

I jemi mirënjohës Perëndisë për këta të rinj që kanë zgjedhur të punojnë dhe jetojnë ende në Shqipëri.

Pa ata kisha jonë do të ishte e paplotë dhe sa më shumë të rinj që fitojmë aq më shumë fruta do të korrim në të ardhmen. 

Dita e të Rinjve është tashmë një aktivitet i padiskutueshëm zbavitës dhe i bekuar në bashkësi. 

Përhimnime dhe falenderime Perëndisë, si edhe të gjithëve që ndihmuan në këtë aktivitet të rëndësishëm për kishën tonë.