Seminar për udhëheqësit e Takimit të Fëmijëve
Jemi të kënaqur t’ju njoftojmë se së fundmi drejtuesit e takimeve për fëmijë të kishave të Kisha Bashkuar Metodiste morën pjesë në një seminar të veçantë të organizuar për mbështetjen dhe përforcimin e shërbesës së tyre në Shkollën e së Dielës.

Përkushtuar në mënyrë të veçantë kësaj ministrie, seminari u drejtua nga Luka Sema dhe bashkëshortja e tij, Irena Sema, nga stafi i organizatës Bashkësia e Ungjilliziit të Fëmijëve Albania (CEF Albania), profesionistë në ungjillizimin e fëmijëve dhe të rinjve. Gjatë këtij takimi, pjesëmarrësit patën mundësi të zbulojnë dhe praktikojnë metoda të reja për të përmirësuar cilësinë e punës së tyre me fëmijët nga përgatitja e orëve të Shkollës së së Dielës, tek mënyrat për të bërë mësimin më tërheqës dhe jetësor për ta.

Kjo nismë nuk është e para, por një prej premtimeve të mbajtura për të rinisur dhe forcuar seminaret që kanë një rëndësi kaq të madhe për vitalitetin e kishave tona dhe për rritjen shpirtërore të fëmijëve që përfshihen në këto shërbime.

Seminari u mirëprit me entuziazëm nga drejtuesit e takimeve të fëmijëve në kishat lokale.
Pjesëmarrësit ndanë disa nga përjetimet e tyre:
“Në këtë seminar mësova shumë mënyra të dobishme për ta bërë orën e mësimit biblik më efektive dhe të afërt me fëmijët. Mjetet didaktike dhe shpjegimet e qarta të mësuesve më lanë mbresa të thella. Ishte frymëzuese të shihje se si përmes tregimeve, lutjes, këngëve dhe metodave vizuale, fëmijët mund të afrohen më shumë me dashurinë për Jezusin dhe Perëndinë.”
Elona Çela
“Kaluam një kohë të mrekullueshme gjatë seminarit. Diskutuam se si të drejtojmë një takim me fëmijët në mënyrë të gëzueshme dhe të frytshme. Falë Profesor Lukës dhe Znj. Irena, fituam eksperienca të reja për studimin biblik dhe mënyrën se si ta bëjmë më tërheqës për fëmijët. Zoti i bekoftë udhëheqësit tanë!”
Eli Kreka
“Ishte hera e parë që mora pjesë në një seminar të tillë dhe mbeta thellësisht e kënaqur. Përjetova gëzim, bashkësi dhe mësime të vlefshme për mënyrën e drejtimit të takimeve sipas Shkrimit të Shenjtë. Jam mirënjohëse për udhëzimet dhe dashurinë që përcollën drejtuesit tanë. Zoti i bekoftë përzemërsinë dhe përkushtimin e tyre!”
Melisa Leka
“Seminari na dhuroi shumë ngrohtësi dhe frymë bashkësie. Mësuam rëndësinë e dashurisë dhe durimit në punën me fëmijët, si dhe mënyrën se si përmes lojës, këngëve dhe aktiviteteve krijuese mund t’i ndihmojmë ata të njohin Zotin me gëzim. Kuptuam gjithashtu se shembulli ynë personal është udhëheqja më e fortë.”
Bujare Kalemi & Mikaela Sulmina
Ky seminar shërbeu si një kohë ndërtuese, frymëzuese dhe e mbushur me përvojë praktike për të gjithë drejtuesit e takimeve të fëmijëve. Zoti vazhdoftë t’i udhëheqë dhe bekojë në shërbimin e tyre!
Falenderojmë shumë ato gra e të reja që në mënyrë të vullnetshme kanë zgjedhur të shërbejnë në Shkollën e së Dielës — një kohë kaq e çmuar për përditshmërinë shpirtërore të fëmijëve tanë. Ne vlerësojmë thellësisht punën e tyre të palodhur dhe përkushtimin e tyre të bekuar për kishën dhe për fëmijët.
Kisha jonë mbetet gjithmonë një mbështetëse e përkushtuar e kësaj ministrie: do të vazhdojmë të organizojmë seminare të ngjashme, të ofrojmë trajnime dhe të sigurojmë fëmijëve materialet më të fundit, falë partnerëve tanë të çmuar.