Mbyllëm vitin 2024 me Festën e Krishtlindjes
Pesë kishat e Bashkuara Metodiste festuan Krishtlindjen, që shënon edhe aktivitetin e fundit për këtë vit.
Si çdo vit tjetër, të gjithë bashkëpunëtorët e kishave tona u përpoqën të përcillnin sa më mirë këtë festë te besimtarët dhe miqtë e kishave tona.
Shërbesa e Krishtlindjes u festua respektivisht në 24 Dhjetor në mbrëmje dhe në 25 Dhjetor në kishat e Bashkuara Metodiste Pogradec, Elbasan, Durrës dhe Buzahishtë.
Atmosfera e ngrohtë mund të përcillet edhe përmes fotografive.
Fëmijët u përpoqën që të zhvillonin Dramën e Lindjes së Krishtit, ose të merrnin pjesë në korin e grupit të adhurimit.
Pastorët dhanë mesazhin e tyre të konkludimit të Adventit për këtë vit.
Disa gra dhe burra morën pjesë në përgatitjen e darkës së Krishtlindjes, e cila është një kohë që tejkalon procesin e vetëm të konsumuarit ushqim.
Është një kohë miqësie, që ne metodistët e ndajmë me njëri-tjetrin, e cila është një mekanizëm i jashtëzakonshëm për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona.
Duke qenë se fëmijët janë ata që e përjetojnë më tepër këtë periudhë, të gjithë kujdestarët e fëmijëve përgatitën për ta, dhuratat e fundvitit.
Krahas kontributit që kisha jep për darkën e Krishtlindjes, kontributet nga besimtarët tanë janë në rritje. Shumë familjarë sollën gatimet e tyre për t’i konsumuar me miqtë e tyre, e kemi provuar se ky lloj përkushtimi na lidh më shumë me njëri-tjetrin dhe e bën mjedisin kishtar më të dashur përmes të shërbyerit për të tjerët.
E falenderojmë Perëndinë për shansin e madh që na ka dhënë për të shërbyer në këto troje, për të sjellë pak shpresë dhe dritë aty ku pesimizmi dhe errësira kanë ngritur themele.
Kisha e Bashkuar Metodiste ju uron gëzuar Vitin e Ri 2025!!